Secondary Adv

Bllokimi i rrugës jep impaktet e para, anullohen rezervimet në Korçë, rriten çmimet ushqimeve

Ndërprerja e akseve drejt juglindjes ka sjellë vonesa në furnizime, rritje të kostove të transportit dhe anulime masive rezervimesh në Korçë e Pogradec.

Rriten kostot e transportit dhe çmimet e produkteve

Bllokimi i akseve rrugore që lidhin juglindjen me pjesën tjetër të vendit po reflektohet drejtpërdrejt në ekonomi, duke prekur bizneset që operojnë në furnizimin dhe shkëmbimin e mallrave. Tregtarët raportojnë se koha e transportit është zgjatur ndjeshëm për shkak të devijimeve dhe kufizimeve në qarkullim, duke sjellë vonesa në furnizime dhe rritje të kostove.

 

“Vonesa ka sa të duash. Ka raste për furnizimin flenë andej. Me bllokimin që ndodhi është katastrofë. Nëse nuk hapet rruga do detyrohemi të rrimë pushim”, thotë një tregtar. Një tjetër thekson se devijimet përmes aksit Përmet–Tepelenë e kanë dyfishuar koston e transportit dhe se rruga vajtje-ardhje zgjat deri në 12 orë. Sipas tij, rritja e shpenzimeve po reflektohet në çmimet e produkteve, ndërsa furnizimet janë më të pakta dhe trafiku në rrugët alternative është i lartë.

 

Anulime masive në turizëm

Pasojat janë ndjerë edhe në sektorin e turizmit. Operatorët turistikë në Korçë dhe Pogradec raportojnë anulime të shumta të rezervimeve në hotele dhe bujtina, ndërsa restorantet flasin për rënie të ndjeshme të xhiros ditore. Sipas tyre, pasiguria në qarkullim dhe zgjatja e kohës së udhëtimit, veçanërisht nga zona e Gramshit, kanë bërë që shumë vizitorë të heqin dorë nga udhëtimet.

 

“70 për qind e rezervimeve janë anuluar, njëjtë edhe në restorant. Ka pasur rënie të të ardhurave këto ditë. Duhet të rregullohen rrugët, është hera e tretë këtë sezon që përsëritet”, shprehet një sipërmarrës.

 

Rrezik për mbyllje biznesesh

Sipërmarrësit paralajmërojnë se nëse situata vijon me të njëjtin ritëm, rënia e të ardhurave mund të çojë deri në mbylljen e një pjese të bizneseve. Sipas tyre, kostot janë tashmë shumë të larta dhe, në kushtet e vonesave në furnizime dhe rritjes së shpenzimeve të transportit, bëhen të papërballueshme për një periudhë të gjatë.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat